Moti i keq ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të Italisë, ku reshjet intensive dhe stuhitë kanë përmbytur banesa e rrugë, kanë bllokuar automjete dhe kanë shembur mure. Situata më problematike raportohet në Lipari, në arkipelagun e Ishujve Eolianë, si dhe në Melito Porto Salvo, në Kalabri. Në Lipari, dhjetëra banesa u përmbytën gjatë natës mes 9 dhe 10 tetorit, ndërsa balta mbuloi rrugët, përfshirë edhe ato në qendër të qytetit. Për shkak të daljes nga shtrati të përrenjve Ponte dhe Valle, mbeturinat u transportuan drejt plazheve dhe detit. Disa automjete mbetën të bllokuara në zonën e portit Sottomonastero, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për të ndihmuar edhe drejtuesit e mjeteve të rrezikuara.