Shqetësimet për militarizimin e hapësirës po rriten, pas raportimeve se Rusia mund të jetë duke përgatitur lëshimin e një sateliti të pajisur me armë bërthamore, të njohur si Sputnik-S. “Sipas raportimeve të 23 nëntorit, Moska mund ta vendosë këtë sistem në orbitë brenda javëve të ardhshme. Pretendimet janë mohuar nga Kremlini, ndërsa ekspertët theksojnë se deri më tani provat për zhvillimin e një arme të tillë mbeten të kufizuara.”, raporton Radio Evropa e Lirw. Megjithatë, nëse Rusia ka arritur të zhvillojë një armë bërthamore të projektuar për përdorim në hapësirë, pasojat mund të jenë katastrofike për infrastrukturën satelitore globale. Një shpërthim bërthamor në orbitë nuk do të prekte vetëm satelitët e vendeve kundërshtare të Moskës. Efektet e tij mund të përfshijnë edhe sistemet ruse, kineze dhe ato të vendeve të tjera, shkruan Radio Evropa e Lirw. Tomas Nagy, studiues i lartë në institutin sllovak GLOBSEC, paralajmëron se ndikimi i një shpërthimi të tillë do të ishte kryesisht pa dallim, duke vënë në rrezik një numër të madh satelitësh, përfshirë rrjetin Starlink. Rreziku kryesor lidhet me dy efekte: impulsin elektromagnetik (EMP) dhe rrezatimin bërthamor që mund të mbetet në orbitë.