Senati amerikan ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse zëvendëspresidenti JD Vance ka përdorur pozicionin e tij për të ndihmuar kompaninë e tregtimit të naftës Vitol që të përfitonte një kontratë fitimprurëse për naftën venezueliane. Lajmi bëhet i ditur nga Reuters, i cili ka siguruar një letër të dërguar Vance-it nga senatorja demokrate Maggie Hassan. Hassan kërkon që brenda datës 14 dhjetor t`i dorëzohen dokumente dhe komunikime mes numrit dy të administratës amerikane, bashkëpunëtorëve të tij dhe tregtarit të Vitol, John Addison. Hetimi vjen pas raportimit ekskluziv të Reuters, sipas te cilit një takim mes Vance dhe Addisoin ka ndodhur përpara se Shtetet e Bashkuara të ndërhynin ushtarakisht në Venezuelë në janar dhe të kapnin presidentin Nicolas Maduro. “Po ju shkruaj sot për të shprehur shqetësimin tim serioz se mund të keni përdorur pozicionin tuaj si zëvendëspresident për të ndihmuar një donator të rëndësishëm politik që të siguronte mundësi fitimprurëse biznesi në sektorin e naftës venezueliane”, thuhet në letrën e Maggie Hassan. Senatorja demokrate pritet të marrë drejtimin e Komitetit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare në janar, kur të nisë punën Kongresi i ri. Sipas një personi në dijeni të bisedës, Vance kishte pyetur se sa shpejt mund të shitej nafta venezueliane në rast se SHBA-ja do të merrte kontrollin e furnizimeve të vendit. Addison, i cili në atë kohë punonte si tregtar benzine për Vitol, dyshohet se i kishte thënë se kompania ishte e pozicionuar mirë për ta realizuar këtë proces. Megjithatë, si Vance, ashtu edhe Addison e kanë mohuar që takimi të ketë ndodhur.