Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara janë vënë në shënjestër të një sulmi kibernetik, që ka çuar në ekspozimin e disa informacioneve të paklasifikuara. Lajmi është bërë i ditur të martën nga mediat ndërkombëtare, që citojnë burime zyrtare të njohura me hetimin. Sipas të dhënave paraprake, ndërhyrja kibernetike nuk ka prekur serverët e sigurisë së lartë, por është fokusuar në një rrjet kompjuterik që përdoret për inteligjencën me burime të hapura. Ky sistem shërben për mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave publike që vijnë nga interneti, mediat sociale, imazhet satelitore komerciale dhe bazat e tjera të hapura të të dhënave.