Të hënën, zyrtarët rusë minimizuan raportet se një teknike laboratori në Siberi kishte vdekur nga murtaja, duke këmbëngulur se situata ishte nën kontroll dhe se analizat pas vdekjes nuk kishin gjetur gjurmë të sëmundjes. Raportet e së premtes, sipas të cilave një grua 28-vjeçare e quajtur Darya Shipilova – e cila punonte për institutin kundër murtajës në rajonin e Irkutskut në Siberi – kishte vdekur nga murtaja, shkaktuan shqetësim. Media "People of Baikal", duke cituar burime anonime pranë shërbimeve rajonale të sigurisë, raportoi se ajo mund të ishte infektuar me murtajën pulmonare (të mushkërive) si pasojë e thyerjes së një epruvete. Media të tjera raportuan për një lidhje të mundshme midis vdekjes së saj dhe një aksidenti laboratorik në atë institucion. Megjithatë, guvernatori i rajonit të Irkutskut, Igor Kobzev, deklaroi të hënën se një inspektim nga një komision i posaçëm ekspertësh në rajon kishte konstatuar se "shkaku i vdekjes ishte pneumonia me etiologji të papërcaktuar". Ai njoftoi përmes Telegramit se agjencia ruse për mbikëqyrjen e mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit, "Rospotrebnadzor", kishte përcaktuar pas analizave se "në mostrat e saj biologjike nuk u gjetën mikroorganizma që lidheshin me punën profesionale të gruas së re".