Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar t'i ofrojnë Ukrainës informacione kritike të zbulimit për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër sulmeve ruse me raketa, pas një ndërprerjeje të shkurtër, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në komente të publikuara të dielën. Ukraina është mbështetur te informacionet e zbulimit nga SHBA-ja për të diktuar raketat balistike me shpejtësi të lartë, të cilat Rusia i ka lëshuar në valë të njëpasnjëshme drejt qyteteve ukrainase. Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar më herët gjatë javës se Uashingtoni vazhdonte të ndante informacione zbulimi, ndonëse zyrtarë ukrainas thanë se disa sulme ruse kishin ndodhur pa paralajmërim. Në një prononcim për emisionin "Meet the Press" të NBC, Zelensky tha se shkëmbimi i informacioneve të zbulimit ishte ndërprerë, por më pas ishte "zhbllokuar". "Jemi shumë mirënjohës për këtë," tha ai. "Tani funksionon." Megjithatë, Zelensky theksoi se veprime të tjera të SHBA-së, siç është nënshkrimi i një marrëveshjeje për importimin e naftës ruse dhe heqja e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat ishin parashikuar të hynin në fuqi këtë javë – do ta dëmtojnë Ukrainën. "Nëse Shtetet Bashkuara rreshtohen zyrtarisht në anën e Rusisë – pra, nëse këto dy vende bëhen bashkë – atëherë, sigurisht, ne nuk do të mund të fitojmë dhe as të qëndrojmë në këmbë," tha ai. Gjatë javës së fundit, thellimi i përçarjes mes Trumpit dhe Zelenskyt ka ngritur shqetësime se marrëdhënia e tyre e tensionuar mund të çojë në pasoja edhe më të rënda për Kievin. Zelensky i tha NBC-së se shpreson që Trumpi të mbetet aleat i Ukrainës.