Gati pesë vjet pas nisjes së luftës në shkallë të plotë kundër Ukrainës, ushtria ruse vazhdon të përballet me një problem të përhershëm: i duhen gjithnjë e më shumë njerëz për të luftuar në front. Numri i të vrarëve është jashtëzakonisht i lartë në të dyja palët. Vlerësimet perëndimore për ushtarët rusë të vrarë në luftë tashmë e tejkalojnë shifrën prej 500.000, ndërsa besohet se rreth dyfishi i këtij numri janë plagosur në luftime. Humbjet e Ukrainës janë më të ulëta në shifra, por më të mëdha në raport me popullsinë e saj më të vogël. Ndërkohë në disa qytete ruse janë raportuar raste në të cilat burrat kapen në rrugë, futen në furgonë dhe dërgohen në qendrat e rekrutimit ushtarak. Kjo praktikë ka shkaktuar zemërim te banorët. Por ajo nxjerr në pah metodat e pazakonta që po përdoren dhe masat ekstreme që zyrtarët kanë ndërmarrë për të rekrutuar më shumë ushtarë. Mbi të gjitha, autoritetet duan të shmangin alarmimin e popullsisë duke urdhëruar një tjetër mobilizim, si ai që presidenti Vladimir Putin shpalli në shtator të vitit 2022, kur rreth 300.000 burra u thirrën për të marrë pjesë në luftë. Në atë kohë, një numër i madh rusësh tentuan të kalonin kufijtë e rusisë për në vendet fqinje, vetëm e vetëm për të shmangur dërgimin e tyre në luftë. Megjithëse ligji rus ua ndalon autoriteteve dërgimin e rekrutëve jashtë vendit ose në luftime, përfshirë ato në Ukrainë, ata shpesh përballen me metoda shtrënguese që synojnë t’i detyrojnë të nënshkruajnë kontrata për të marrë pjesë në luftë, madje edhe përpara se të përfundojnë vitin e shërbimit të detyrueshëm.