Rusia dhe Ukraina kanë filluar një armëpushim rajonal për të mundësuar nisjen e një operacioni humanitar në qytetin e pushtuar nga Rusia, Oleshky – njoftuan të dyja palët të martën – ndërkohë që vazhdojnë sulmet në zona të tjera, përfshirë kryeqytetin ukrainas, Kievin. Armëpushimi synon të mundësojë dërgimin e ndihmave, si dhe evakuimet nga ky qytet i vijës së frontit në Ukrainën jugore, i cili po përballet me mungesa të theksuara ushqimesh dhe ilaçesh. "Si kreu i ekipit negociator ukrainas, konfirmoj se pala ukrainase po i përmbush angazhimet e saj," deklaroi Dmytro Lubinets, komisioneri parlamentar për të drejtat e njeriut, në një postim në Facebook, duke konfirmuar kohën kur Rusia ndërpreu veprimet luftarake. Nëpërmjet platformës Telegram, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka ndërprerë bombardimet në drejtim të qytetit ukrainas të Khersonit, duke filluar nga ora 04:00 me orën e Moskës, për të përgatitur operacionin në Oleshky. Lubinets shtoi se marrëveshja u arrit në koordinim me Zonjën e Parë të SHBA-së, Melania Trump, dhe në bashkëpunim me komisioneren ruse për të drejtat e njeriut, Yana Lantratova. Por në anën tjetër, sulme të reja goditën të martën "Urën Jugore" dhe infrastrukturën e metrosë në Kiev, duke detyruar pezullimin e trafikut, njoftuan zyrtarët e qytetit, ndërsa një dëshmitar i agjencisë Reuters raportoi se janë dëgjuar shpërthime. Oleshky ndodhet në bregun lindor të lumit Dniepër, në rajonin jugor ukrainas të Khersonit, përballë qytetit të Khersonit, i cili mbahet nga forcat ukrainase. Megjithatë, trupat ruse e kanë nën kontroll qytetin që nga momenti kur e pushtuan atë në ditët e para të agresionit të tyre, të nisur në shkurt të vitit 2022. Të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë kanë biseduar me të dyja palët ditët e fundit, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, ndërsa SHBA-ja synon të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje për t'i dhënë fund luftës. Të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se negociatorët e paqes nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të takohen në nivel teknik gjatë gjysmës së parë të nëntorit në Abu Dabi, për të vazhduar bisedimet.