Finalizohet nga Komisariati i policisë numër 2, në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Befasia”. Si rezultat i këtij operacioni është kapur dhe arrestohet 31-vjeçari i kërkuar nga drejtësia italiane, për veprat penale "Grup kriminal" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike". Specialistët për Hetimin e Krimit pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Interpol Tiranën, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Befasia", në kuadër të të cilit, në Unazë të Re, në ambientet e një lokali, u bë e mundur kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar me inicialet E. P., 31 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar duke caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg", për veprat penale "Grup kriminal" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike", për të cilat maksimumi i dënimit është 30 vite. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.