Udhëheqësit e ekstremit të djathtë të Evropës kanë reaguar ndaj dhunës që tronditi shumë qytete fundjavën e kaluar, duke e paraqitur atë si pasojë të pashmangshme të qeverisjes së dështuar liberale dhe politikave të kufijve të hapur dhe duke këmbëngulur se vetëm ata mund të rivendosin ligjin dhe rendin. Muaj larg zgjedhjeve në Spanjë, Francë dhe Itali, nacionalistët autoritarë janë të etur të shfrytëzojnë valën e trazirave në rrugë, që burojnë nga protesta paqësore për koston e jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike. Në Francë, ku qytete si Parisi, Marseja dhe Lioni u përballën me trazira dhe plaçkitje të mëdha, Tubimi Kombëtar (RN) i ekstremit të djathtë ka denoncuar paaftësinë e qendrës dhe ka premtuar një goditje. Presidenti i partisë, Jordan Bardella, tha se qeveria ishte "impotente". Udhëheqësja e RN, Marine Le Pen, tha se shteti po "shembej" dhe kishte "humbur kontrollin mbi gjithçka" mes "kaosit migrator, buxhetor dhe të sigurisë". Në Gjermani - ku nuk pati protesta të mëdha - Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka nxitur frikën se trazirat mund të përhapen edhe atje. Bashkëkryetarja e saj, Alice Ëeidel, tha se "ekseset e dhunshme" të Francës ishin një "paralajmërim për Gjermaninë". Në Portugali, populistët kanë përdorur protestat paqësore për të fajësuar emigracionin për krizën e strehimit në vend. Në Spanjë, ku kryeministri socialist Pedro Sánchez ka shpallur zgjedhje të parakohshme, partia e ekstremit të djathtë "Vox" është përpjekur t'i demonizojë protestuesit. Në Belgjikë, ku protestat për koston e jetesës degjeneruan në përleshje në rrugët e Brukselit dhe të Liezhit, nacionalistët flamandë i interpretuan trazirat si dështim të integrimit dhe të politikës së kufijve të hapur. Ndërsa kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka një strategji tjetër: si drejtuese e një qeverie të ekstremit të djathtë ajo nuk mundet thjeshtë të fajësojë dështimet e shtetit. Në vend të kësaj, ajo e ka zgjeruar agjendën e saj për rendin dhe ligjin, duke i etiketuar pjesëmarrësit në trazira si ekstremistë. "Të protestosh është një e drejtë, por t'u vësh flakën qyteteve tona nuk është," tha Meloni pas trazirave në Milano dhe Bolonjë. "Huliganët i kanë shfrytëzuar protestat për të mbjellë kaos, për të sulmuar ata që janë përgjegjës për sigurinë dhe për të marrë peng qytete të tëra."