Kryeministri Donald Tusk deklaroi të shtunën se qeveria e tij do të vazhdojë përpjekjet për të rikthyer pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, ndërsa qindra protestues u mblodhën për natën e dytë radhazi kundër pezullimit të kryetarit të kësaj gjykate. Qeveria pro-evropiane theksoi se pezullimi është i domosdoshëm për të rikthyer pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa kritikët nga opozita e kanë cilësuar këtë veprim si një “grusht shteti”. Presidenti Karol Naërocki, i cili kundërshton qeverinë pro-evropiane, ktheu mbrapsht avionin gjatë një fluturimi drejt Senegalit të premten në mbrëmje dhe u rikthye në vend. Të premten në mbrëmje, ai shkoi pranë Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht kaosit, dhe deklaroi se e ndihmoi kryetarin e pezulluar të gjykatës të hynte në ndërtesë. Policia njoftoi se ka ndaluar tre protestues të premten në mbrëmje, pasi disa prej tyre hodhën objekte në drejtim të efektivëve dhe u përpoqën të kalonin gardhin e sigurisë rreth gjykatës. Mosmarrëveshja lidhur me Gjykatën Kushtetuese, institucion që prej kohësh është përfshirë në konflikte, pritet të thellojë polarizimin politik në Poloni, një vit para zgjedhjeve parlamentare, duke intensifikuar më tej përplasjen mes qeverisë pro-evropiane dhe partisë opozitare nacional-konservatore "Ligj dhe Drejtësi". Kritikë në Poloni dhe në Bashkimin Evropian e akuzojnë partinë Ligj dhe Drejtësi, e cila e qeverisi vendin mes viteve 2015 dhe 2023, se ka vendosur kontroll politik mbi institucionet kyçe gjyqësore. Reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së Ligj dhe Drejtësisë bënë që Bashkimi Evropian të vendoste gjoba ndaj Polonisë. Qeveria pro-evropiane e Tuskut erdhi në pushtet në vitin 2023 me premtimin për të rikthyer pavarësinë e gjyqësorit. Që atëherë, përpjekjet e saj janë bllokuar nga vetot e dy presidentëve të njëpasnjëshëm që mbështesin partinë Ligj dhe Drejtësi, përfshirë Naërockin.