Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sergej Lavrov dhe Marco Rubio, kanë zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike në përpjekje për të përgatitur takimin e mundshëm të presidentëve lidhur me luftën në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur Ministria e Jashtme në Moskë dhe Departamenti i Shtetit në Uashington. Sipas një njoftimi nga Moska janë biseduar hapa konkrete, për të vënë në jetë ato për të cilat është rënë dakord gjatë telefonatës së zhvilluar të enjten e kaluar ndërmjet presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump.