Trupat evropiane dhe britanike do të lejohen të kundërpërgjigjen me zjarr nëse sulmohen nga rusët, në rast se vendosen në Ukrainë si paqeruajtës pas një armëpushimi, thanë zyrtarë perëndimorë. Forca stabilizuese, e udhëhequr nga britanikët dhe francezët, nuk do të mbështetet në sisteme apo teknologji amerikane, siç është "Starlink" i Elon Musk-ut, dhe, nëse dislokohet, pritet të jetë pothuajse ekskluzivisht evropiane. "Sigurisht që ne do t'i mbrojmë forcat tona kundër çdo agresioni," tha një zyrtar i njohur me planet, duke theksuar megjithatë se trupat perëndimore në Ukrainë do të vepronin në një mënyrë që është "e natyrës mbrojtëse". Këto detaje u bënë të ditura ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca prezantuan stërvitjen "Koalicja", e cila do të zhvillohet më vonë gjatë këtij muaji në Poloni. Bëhet fjalë për një stërvitje që përfshin 11 vende, për të testuar se si ushtritë evropiane mund të dislokohen me shpejtësi në Ukrainë nëse lufta merr fund. Në këtë testim të forcës shumëkombëshe do të marrin pjesë 2,800 ushtarë, marinsa dhe personel i forcave ajrore. Franca kontribuon me 1,500 trupa nga Divizioni i saj i 1-rë, ndërsa Britania me 300 trupa nga Brigada e 7-të e Lehtë e Mekanizuar. Edhe pse një dislokim i mundshëm në mbështetje të Kievit mbetet ende në kuadrin e hipotezave, kjo shërben si kujtesë se konflikti mund të rindizet duke përfshirë forcat evropiane; kjo duke pasur parasysh historinë e gjatë të Rusisë me sulme të shkallës së ulët gjatë periudhës së armëpushimit në Ukrainë, midis viteve 2014 dhe 2022.