Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do t’i vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Gjatë një takimi me zyrtarë të Azisë Qendrore në Uzbekistan, ai paralajmëroi se konflikti rrezikon të përhapet përtej dy vendeve. Duke folur për gazetarët në Samarkand të hënën Rubio mbrojti përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për negociata mes Moskës dhe Kievit. Ai pranoi se përparimi ka qenë i kufizuar, por tha se SHBA-ja mbetet e gatshme të shfrytëzojë çdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. “Askush nuk po e fiton këtë luftë”, tha Rubio. “Njerëzit po vdesin çdo ditë. Çdo ditë ka shpërthime dhe shkatërrime”, tha ai. Vizita e Rubios në Uzbekistan, ku ai u shoqërua nga afro 300 përfaqësues të bizneseve amerikane, nxorri në pah edhe përpjekjet e Uashingtonit për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike me Azinë Qendrore. Kina është bërë partnerja kryesore tregtare e rajonit, ndërsa Rusia vazhdon t’i mbajë lidhjet e hershme ekonomike dhe të sigurisë me vendet e tij.