Një person që prezantohet me nofkën “Kobra” dhe që shfaqet si snajperist në ushtrinë ruse, dyshohet se është Petar Popoviç, një shtetas nga Derventa e Bosnje dhe Hercegovinës, i kërkuar nga drejtësia boshnjake për përfshirje në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, raporton Radio Evropa e Lirw. “Kobra” u shfaq në një dokumentar të transmetuar më 6 shtator nga televizioni rus Zvezda, ku foli për vendimin e tij për t'iu bashkuar forcave ruse në Ukrainë. “Duhet t'ia kthejmë Rusisë borxhin për gjithçka që ka bërë për ne ndër vite”, deklaroi ai, duke e paraqitur pjesëmarrjen në luftë si një mënyrë për të shprehur mirënjohjen ndaj Moskës. Sipas dokumentarit, ai shkoi në Ukrainë në fund të vitit 2022, së bashku me vullnetarin serb Marko Matoviç, i cili u vra në fillim të vitit 2025 gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut. Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se të dhënat e dhëna nga “Kobra” përputhen me ato të Petar Popoviçit. Ai ka konfirmuar se ka lindur në vitin 1988 dhe se është nga Derventa, ndërsa këto të dhëna përputhen me informacionet zyrtare të siguruara nga REL-i. Personi që administron profilin në Instagram me emrin “kobrasniper333” konfirmoi se është i njëjti ushtar që shfaqet në dokumentarin rus, por refuzoi të bëjë publike identitetin e plotë dhe nuk pranoi një intervistë me Radio Evropa e Lirë. Në dokumentar, “Kobra” pretendon se ka përvojë të gjatë luftarake, arsimim të lartë ushtarak dhe se ka shërbyer për vite në një njësi elitare të Ushtrisë së Serbisë, e ngarkuar me mbrojtjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë.