Humbja e thellë elektorale e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, më 3 nëntor, nuk i ka hequr Donald Trumpit vetëm kontrollin e Kongresit. Ajo ka hapur rrugën për një valë hetimesh parlamentare, të cilat kërcënojnë t’i kthejnë dy vitet e fundit të presidencës së tij në një përballje të vazhdueshme me komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Sipas raportimeve të Reuters dhe Associated Press, demokratët po përgatiten të rihapin dosje që përfshijnë aktivitetet e biznesit të familjes Trump, investimet në kriptomonedha, çështjen Epstein, Elon Musk dhe marrëveshjet e administratës amerikane me kompani të mëdha. Në qendër të vëmendjes nuk është vetëm presidenti amerikan, por edhe një rrjet i gjerë familjarësh, bashkëpunëtorësh, donatorësh dhe zyrtarësh të administratës. Mesazhi u dha ende pa përfunduar numërimi i votave. “Gjeni një avokat”, shkroi kongresmeni demokrat Robert Garcia, i cili pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve. Pak më vonë, senatori Ron Wyden u mjaftua me një fjalë: “Thirrje zyrtare për dëshmi”. Në krye të agjendës janë aktivitetet e biznesit të familjes Trump gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Demokratët synojnë të zbulojnë nëse interesat private financiare kanë ndikuar në vendimmarrjen e qeverisë dhe nëse kompani të lidhura me Trumpin kanë përfituar nga afërsia me pushtetin. Vëmendje e veçantë pritet t'u kushtohet investimeve në kriptomonedha, marrëveshjeve ndërkombëtare në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe aktiviteteve të biznesit të Donald Trump Jr. dhe Eric Trump. Në qendër të vëmendjes është edhe kompania e kriptomonedhave World Liberty Financial, e lidhur me familjen Trump dhe të dërguarin e posaçëm të presidentit për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Synimi i demokratëve është të sigurojnë dokumente, të dhëna financiare dhe dëshmi për të përcaktuar nëse ka pasur parregullsi.