Qindra mijëra persona dolën në protesta në të gjithë Francën të enjten, kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kushteve të vështira ekonomike. Protestat u zhvilluan pas disa javësh demonstratash të udhëhequra nga të rinjtë, ndërsa në disa qytete pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, e cila përdori gaz lotsjellës. Sipas sindikatës CGT, në protesta morën pjesë rreth 1.6 milionë persona, ndërsa Ministria e Brendshme raportoi 575 mijë protestues, prej të cilëve 60 mijë në Paris. Deri në orën 18:00, policia kishte arrestuar 448 persona dhe 53 efektivë kishin mbetur të plagosur. Sindikatat kërkojnë rritje të pagave për të gjithë punonjësit, reforma tatimore dhe përmirësim të kushteve të jetesës. Lëvizja protestuese është mbështetur edhe nga nxënësit dhe studentët, të cilët kanë ngritur shqetësime për kushtet e dobëta në shkolla dhe pabarazinë sociale. Protestat shkaktuan gjithashtu bllokime në 81 shkolla të mesme, ndërsa rreth 16% e mësuesve në vend morën pjesë në grevë. U ndërprenë ose u vonuan edhe shërbime të transportit hekurudhor, spitaleve dhe postës. Në qytetin e Lionit pati përplasje, djegie automjetesh dhe përdorim të gazit lotsjellës. Ndërkohë, autoritetet franceze kishin angazhuar rreth 70 mijë forca policore dhe sigurie për të garantuar rendin. Situata vjen në një periudhë të vështirë për ekonominë franceze, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale, ku e djathta ekstreme kryeson në sondazhe. Edhe reagimi i policisë është kritikuar për përdorim të tepruar të forcës, ndërsa kanë nisur hetime për raste të dyshuara të brutalitetit policor.