Të dielën në mëngjes, Benjamin Netanyahu publikoi një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale, që shfaqte një shpërthim bërthamor në qendër të Tel Avivit. Qëllimi i tij ishte të bindte votuesit e pavendosur se një fitore e cilitdo prej kundërshtarëve të tij në zgjedhjet e përgjithshme të së martës, do t’i ekspozonte izraelitët ndaj një “Holokausti të dytë” nga duart e Iranit. “Kushdo që shqetësohet për ekzistencën e tij fizike, atë të familjes dhe të njerëzve të dashur, duhet t’i dridhet dora para se të votojë për dikë që nuk do të jetë në gjendje ta përmbushë misionin...” shkroi ai. Rivalët e tij e akuzuan për histeri, nxitje të frikës dhe se e ka “humbur kontrollin”. Madje edhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u alarmuan, sipas raportimeve, nga frika se imazhi mund të çonte në një llogaritje të gabuar nga ana e Iranit. Të tjerë vunë në dukje se, duke publikuar këtë imazh, Netanyahu minoi pretendimin e tij se tashmë e ka “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit.