Trazirat po përhapen nëpër Evropë; në Milano, protestuesit kanë shkatërruar dyqane, pasi të rinj të dhunshëm kanë shkaktuar kaos në sheshet kryesore të qytetit. Emmanuel Macron ka bërë thirrje për qetësi, pasi Franca u përfshi nga flakët gjatë fundjavës, me dyqane të shkatërruara në mbarë vendin dhe qindra oficerë policie të plagosur. Një kryetar bashkie në Francë deklaroi se ekstremistët ishin “të organizuar për të bërë luftë”. Edhe në Belgjikë e Portugali pati protesta të mëdha gjatë kësaj fundjave, ndërsa në Shqipëri demonstratat vazhdojnë prej një jave. Në Milano, përleshjet e dhunshme nisën në margjinat e protestave kundër krizës së kostos së jetesës. Qyteti verior italian ka përjetuar tashmë dy ditë trazirash, me 200 persona të ndaluar, shumica e të cilëve të rinj. Kontejnerë plehrash u vunë në flakë dhe u hodhën drejt policisë, tabelat rrugore u rrëzuan, ndërsa dyqane u plaçkitën nga qindra të rinj të veshur me të zeza që shkaktonin kaos. Ata hodhën gurë dhe fishekzjarre ndaj policëve, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji.