Protestat e zemëruara që kanë përfshirë Spanjën dhe Francën javët e fundit janë përhapur edhe në Itali dhe Portugali, ku protestuesit janë përplasur me policinë dhe kanë djegur prona në Milano, ndërsa në Lisbonë, gjatë fundjavës, është ngritur një kamp me çadra. Një marshim në qendër të Milanos të shtunën, i organizuar për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës, nisi në mënyrë paqësore, por përfundoi me protestues të maskuar që hodhën gurë, blloqe trotuari dhe sende të tjera drejt policisë së trazirave. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se, ndonëse demonstrimi është një e drejtë, “t’i vësh flakën qyteteve nuk është”. Në një postim në rrjetet sociale, ajo tha se “huliganët” i kishin shfrytëzuar protestat “për të mbjellë kaos, për të sulmuar ata që janë përgjegjës për garantimin e sigurisë dhe për t’i mbajtur qytetet e tëra peng”. Në Lisbonë, protestuesit ngritën një kamp me çadra, të ngjashëm me atë që ishte ngritur në Madrid tri javë më parë, duke kërkuar masa për të përballuar krizën e strehimit dhe rritjen e kostos së jetesës.“Klasa shoqërore portugeze që paguan taksat, ajo që e mban këtë vend në këmbë, është nën sulm dhe po humbet të drejtat e saj, veçanërisht të drejtën për strehim”, tha Elena Costa, një punonjëse sociale 46-vjeçare. “Prandaj jemi të gjithë këtu së bashku, për të shpjeguar se po mbytemi.”, shtoi ajo.