Një ngjarje tragjike ka tronditur Brazilin, ku një 29-vjeçare dhe djali i saj 6-vjeçar janë gjetur të pajetë në banesën e tyre në qytetin Cotia, në rajonin metropolitane të Sao Paulos. Për ngjarjen është arrestuar ish-partneri i gruas, ndërsa dyshimet paraprake janë për një krim të rëndë brenda familjes. Viktimat janë identifikuar si Anna Gabriela Faria Lima, avokate 29-vjeçare, dhe djali i saj, Raphael. Trupat e tyre u zbuluan mbrëmjen e 3 nëntorit, të shtrirë pranë njëri-tjetrit në shtratin e apartamentit ku jetonin. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se nëna dhe i biri kanë humbur jetën nga asfiksia. Policia nisi hetimet pas denoncimit të familjarëve, të cilët kishin humbur kontaktet me 29-vjeçaren dhe djalin e saj që prej së dielës. Në qendër të hetimeve është ish-partneri i gruas, biznesmeni 41-vjeçar Eric Conrado Alves de Almeida, i cili është arrestuar nga autoritetet braziliane. Dëshmitë e familjarëve dhe personave të afërt kanë nxjerrë në pah një marrëdhënie të karakterizuar nga konflikte, kërcënime, përndjekje dhe sjellje kontrolluese. Gjithashtu, po hetohen episode të mëparshme të dyshuara të dhunës ndaj 29-vjeçares.