Tetë persona janë vrarë dhe një është plagosur rëndë në një seri të shtënash me armë në Turqinë perëndimore. Sulmet ndodhën në provincën Afyonkarahisar të enjten, ndërsa viktimat u gjetën në disa disa automjete, sipas raportimeve të mediave lokale. Autori i dyshuar tentoi të largohej ndërsa policia u vendos në ndjekje të tij. Ai u arrestua në provincën Eskisehir. Pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara në mediat turke tregonin një burrë me xhaketë të zezë, pantallona të bardha dhe syze që mbante një armë në dorë ndërsa qëndronte pranë një mini furgoni të kuq. Agjencia shtetërore turke Anadolu raportoi se tre persona u vranë pranë fshatit Ayazini dhe tre të tjerë pranë fshatit Kiyir. Ndërkohë në Yukaritandir, dy gra u gjetën të plagosura dhe më vonë vdiqën në spital. Sipas BBC, në mesin e viktimave thuhet se ishin dhe dy mësues. Mediat lokale thanë se rrugët që të çojnë në fshatrat e prekura u mbyllën nga policia, ndërsa oficerët nisën një operacion në shkallë të gjerë për të gjetur të dyshuarin që u prangos më pas.