Socialistët e Asambesë Kombëtare do të vendosin pikat mbi “i” pasditen e të mërkurës, jo vetëm për çështje të brendshme organizative të Partisë, por edhe për objektivat e mandatit të tretë qeverisës. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka firmosur rendin e ditës për mbledhjen e datën dy qershor, e cila pritet të jetë fillimi i ndryshimeve të mëdha në strukturat partiake të socialistëve. Sipas dokumentit, mbledhja do të fillojë me miratimin e të gjitha detajeve të fundit për Kongresin e Jashtëzakonshëm, data e të cilit siç është bërë e ditur, është 12 qershori që përkon dhe me ditën e themelimit të Partisë Socialiste. Më pas do të vijohet me informacion nga strukturat vendore lidhur me gjendjen dhe veprimtarinë e tyre, si dhe me performancën në zgjedhjet e 25 Prillit. Bazuar në performancën e tyre në çdo qark, do të bëhen edhe zgjedhje të reja.