17-vjeçari që u vra në Beograd gjatë tentativës së sulmut në ambasadën e Izraelit, sipas autoriteteve të Mynihut ishte hetuar më parë në Gjermani. Në përgjigjen më 30 tetor dhënë për REL-in, Gjykata e Qarkut në Munih, në qershor të vitit 2026, lëshoi fletarrestim për një shtetas 17-vjeçar të Serbisë, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale, ndër të cilat edhe “dhënia e udhëzimeve për kryerjen e një vepre penale terroriste”, si dhe për përhapjen dhe përdorimin publik të simboleve të organizatës ekstremiste, Shteti Islamik. “Ai dyshohej se ka vëzhguar sheshin Sankt-Jakobs-Platz në Munih dhe është përpjekur të sigurojë armë për të kryer një sulm ndaj Muzeut Hebraik atje. Nga 22 qershori deri më 24 korrik 2026, ai ishte në paraburgim në një institucion korrektues për të mitur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Lartë Publike në Munih. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, tha se sulmuesi i mitur, i armatosur me dy thika, sulmoi natën e 28 tetorit një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante ndërtesën e Ambasadës së Izraelit në Beograd. Sulmuesi, duke thirrur “Allahu Akbar [Zoti është i madh]”, iu vërsul xhandarit me dy thika, por u qëllua për vdekje.