Shtetet e Gjirit Persik raportuan sulme të reja me raketa dhe dronë këtë të diel, pasi Teherani kërcënoi se do t’i zgjerojë sulmet e tij dhe bëri thirrje për evakuimin e tre porteve kryesore në Emiratet e Bashkuara Arabe. Të shtunën një burim i sigurisë amerikane konfirmoi se ambasada në Bagdad u godit nga dy dronë. Pas këtij sulmi ambasada njoftoi qytetarët amerikanë të largohen menjëherë nga Iraku. Bahreini, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan njerëzit se po punonin për të penguar sulmet që po afroheshin, një ditë pasi Irani bëri thirrje për evakuimin e porteve, duke kërcënuar për herë të parë asetet jo-amerikane të një vendi fqinj. Irani më herët akuzoi Shtetet e Bashkuara se kishin përdorur disa porte dhe magazina në Emiratet e Bashkuara Arabe për të nisur sulme ndaj Ishullit Kharg, ku ndodhet terminali kryesor që trajton eksportet e naftës së Iranit, pa ofruar prova. Sulmet iraniane kanë vrarë të paktën një duzinë civilësh në shtetet e Gjirit, shumica prej tyre punëtorë emigrantë. Po ashtu, 13 anëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë që nga fillimi i luftës, përfshirë shtatë në luftime dhe gjashtë që vdiqën në një përplasje avioni mbi Irak javën e kaluar. Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se shpreson që aleatët do të dërgojnë anije luftarake për të siguruar Ngushticën e Hormuzit dhe i ka kërkuar Mbretërisë së bashkuar që ta bëjë këtë sa më shpejt. Ai tha gjithashtu se pas sulmit në Iran mund të rivendosen sanksionet e naftës ndaj Rusisë, por ndërkaq kritikoi ashpër Zelenskyn në një intervistë që ka dhënë për “NBC”.