Një prej masakrave më tronditëse me karakter fetar në historinë moderne ka marrë një tjetër zhvillim në Kenia. Udhëheqësi i një kulti fetar, Paul Mackenzie, është dënuar me 200 vite burg për vdekjen e 190 fëmijëve. Sipas hetimeve, ata u lanë të vdisnin nga uria me urdhrin e tij, me pretendimin se kështu do të arrinin në parajsë. Vendimi u shpall të premten nga një gjykatë në Kenia. Dënimi përbëhet nga 100 vite burg për vrasjet përmes privimit nga ushqimi dhe 100 vite të tjera për vrasjet e drejtpërdrejta. Sipas prokurorisë, Mackenzie drejtonte një kishë të krishterë me besime apokaliptike. Ai u kishte kërkuar ndjekësve të tij të agjëronin deri në vdekje, së bashku me fëmijët e tyre, për të arritur në parajsë përpara fundit të botës.