Polonia është zhytur në krizën më serioze institucionale në historinë e saj të kohëve të fundit. Një luftë e paprecedentë për pushtet po e vë përballë qeverinë pro-evropiane të kryeministrit Donald Tusk kundër gjyqësorit të lartë dhe presidencës, të kontrolluar nga udhëheqësi nacionalist i krahut të djathtë Karol Nawrocki (Navrocki). Tensionet, që ziejnë prej muajsh, kanë shpërthyer ditët e fundit, duke kulmuar me vendosjen e forcave të policisë për të siguruar Gjykatën Kushtetuese në Varshavë, e cila u sulmua nga forcat nacionaliste. Pika e kthesës erdhi kur gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Anna Korwin-Piotrowska (ana korvin piotrovska), duke shfrytëzuar vjetërsinë e saj në detyrë, lëshoi një urdhër emergjence duke urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të presidentit të gjykatës, Bogdan Świeczkowski (Svieçkovski), dhe nënkryetarit, Bartłomiej Sochanski (Sohanski). Korwin-Piotrowska mori përkohësisht drejtimin e organit, duke akuzuar udhëheqësit në largim për parregullsi serioze dhe për pengimin e punës së gjyqtarëve të emëruar nga Parlamenti i ri. Në fakt, vendi tani e gjen veten me dy udhëheqës rivalë në krye të gjykatës më të lartë, asnjëri prej të cilëve nuk e njeh legjitimitetin e tjetrit.