Pamjet e kamerave trupore të policisë së Karolinës së Veriut tregonin sot oficerët në vendin e vrasjes së afro-amerikanit të paarmatosur Jason Walker nga një polic jashtë shërbimi. Babai i viktimës shihet që përshkruan skenën për oficerët e ardhur, dhe së bashku me një dëshmitare shpjegojnë se djali nuk përbënte kërcënim për policin vrases. Vrasja misterioze e të riut me ngjyrë një javë më parë ka ngjallur zemërim të gjerë në qytezë ku rezidentët dhe të afërmit e viktimës protestojnë prej ditesh. Vdekja e Jason Walker kërcënon të risjellë në vëmendje racizmin, teksa SHBA përballet me ligjet e kontestuara të armëve, pandëshkueshmërinë e policisë dhe pabarazinë racore. Rezidentët që kanë marshuar nëpër qytet kërkojnë arrestimin e policit Jeffrey Hash që qëlloi për vdekje Walker të shtunën. Oficeri që punon në qytet prej vitit 2005, po drejtonte automjetin me gruan dhe të bijën kur 37-vjheçari Walker, po kalonte rrugën pranë shtëpisë së prindërve. Një konflikt ende i paqartë kishte lindur mes tyre, çka bëri që Hash të hapte zjarr dhe Walker të mbetej i vdekur në rrugë.