Ndryshimi i orës ka rikthyer edhe këtë të diel orën dimërore. Në orën 03:00, akrepat u kthyen 60 minuta pas, duke na dhënë një orë më shumë gjumë, por edhe duke ndryshuar ritmin e përditshëm. Ora verore do të rikthehet më 29 mars 2026, sipas kalendarit që parashikon zhvendosjen e akrepave dy herë në vit: të dielën e fundit të marsit dhe të dielën e fundit të tetorit. Ky sistem zbatohet në më shumë se 70 vende të botës, por jo kudo. Disa shtete, mes tyre Islanda, Turqia, Rusia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia, nuk e ndryshojnë orën, ndërsa në pjesën më të madhe të Azisë, vende si Kina, India dhe Japonia, përdoret e njëjta orë gjatë gjithë vitit. Edhe pse fitimi i një ore gjumë duket një ndryshim i favorshëm, organizmit mund t’i duhen disa ditë për t’u përshtatur. Ora biologjike e njeriut nuk funksionon si një orë mekanike dhe ndryshimi i ritmit mund të ndikojë te gjumi dhe rutina e përditshme.