Një tufë me zogj në Madrid për pak sa nuk shkaktoi një tragjedi ajrore kur goditën pjesën e përparme të një avioni. Incidenti i rëndë i ndodhur më tre gusht fatmirësisht u menaxhua mirë nga pilotët e avionit airbus të kompanisë spanjolle ‘Iberia’, të cilët mundën ta ulnin në pistë menjëherë pas ngritjes. Përplasja me tufën e shpendëve i shkaktoi avonit një të çarë të madhe sic mund ta shihni edhe në këto pamje. E cara u zmadhua më tej si pasojë e presionit të ajrit dhe gravitetit. Avioni i nisur nga Madridi kishte destinacion Parisin, por pas uljes emergjente u konstatuan edhe dëme në një nga motorët e tij. Sipas ekspertëve, pas goditjes me hundën e avionit, njëri nga zogjtë ka përfunduar tek një nga motorët dhe në këto kushte pilotët kërkuan të uleshin menjëherë afërsisht 20 minuta pas incidentit. Goditjet e zogjve janë një dukuri relativisht e zakonshme në aviacion. Avionët dhe motorët e tyre janë projektuar dhe certifikuar për t'i bërë ballë përplasjeve të tilla deri në një farë mase.