Edhe pse temperaturat nën zero kanë përfshirë qytetin, kjo nuk i ka penguar dhjetëra qytetarë të mblidhen në qendër të Bulqizës për të festuar dy datat më të rëndësishme të historisë kombëtare, 28 dhe 29 Nëntorin. Nën atmosferën festive dhe ngjyrat kuqezi, qyteti është gjallëruar nga aktivitetet e organizuara me këtë rast. Protagonistë të festës ishin fëmijët e shkollave të Bulqizës, të cilët përmes këngëve, valleve dhe interpretimeve artistike përcollën emocione dhe mesazhe patriotike përpara qytetarëve të pranishëm. Performancat e tyre u ndoqën me interes dhe duartrokitje nga publiku, duke sjellë një atmosferë të veçantë në qendër të qytetit.