“Parisi u shfytyrua. Ky qytet nuk do te jetë më kurrë i njëjti…”, tregon Philippe, punonjës komunikacioni. Francezët panë të pafuqishëm pasditen e 15 prillit të materializohej përpara syve të tyre e paimagjinueshmja: Katedralja madhështore e Notre Dame-it, kryevepra arkitekturore që është ngritur krenare për tetë shekuj e gjysmë në peisazhin parizjen duke i rezistuar revolucionit francez dhe dy luftërave botërore, po gjunjëzohej fare papritmas përpara një armiku të djallëzuar e të pabesë. Ishte thuajse e pabesueshme ta shikoje gjigantin e heshtur të historisë të gllabërohej nga flakët me një shpejtësi rrënuese, si për t`i kujtuar kështu paturpësisht njerëzimit pafuqinë e tij.