CEZ-i, Balla: Komisioni po i shkon gjërave deri në fund
10/01/2017 21:40
CEZ-i, Balla: Komisioni po i shkon gjërave deri në fund
Taulant Balla, kryetari i komisionit hetimor parlamentar për çështjen CEZ, shkroi në Facebook se “më në fund, një Komision Hetimor Parlamentar po i shkon gjërave deri në fund”.

“Nuk kisha kohe sot pasdite të merrem me Berishën e vogël, sepse mu desh të merrem me disa lopë në një fshat të Librazhdit. Sa për lidhjet e tij me Nuel (Nue) Kalajn, Kastriot Ismailin etj., të gjitha do t'ia zbardhë Komisioni Hetimor. Më në fund, një Komision Hetimor Parlamentar po i shkon gjërave deri në fund”, lexohet në postimin e Ballës.

Sekseri kosovar Nue Kalaj, i dyshuar për lidhjet mes qeverisë Berisha dhe kompanisë CEZ në çështjen e privatizmit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në 2009, nuk u paraqit në komisionin hetimor parlamentar, edhe pse ishte njoftuar në adresën që mban në Shqipëri.

Kryetari i komisonit, Taulant Balla kërkoi sjelljen e tij me forcë nga policia. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas ka tërhequr kesh një shumë prej 7 milionë eurosh, të derdhura në emër të tij nga CEZ, në njërën prej bankave të nivelit të dytë në Shqipëri.

Sipas dokumentit të ofruar nga vetë banka, veprimi ka ndodhur në qershor të vitit 2009, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të atij viti.

“Shumat janë shumë të mëdha, të lëshuara nga CEZ, të tërhequra më pas kesh, që mund të jenë shndërruar në rryshfete për zyrtarë të asaj kohe”, deklaroi Balla gjatë mbledhjes së komisionit.

Emri i Nue Kalajt u përmend për herë të parë në dëshminë e dhënë posaçërisht për emisionin “Exclusive” në Top Channel të juristit që merret  me arbitrazhet në OSHEE, Romeo Kara.

Ky i fundit ka administruar me mijëra dokumenta të privatizmit. Sipas tij, procesi ka qenë i paracaktuar dhe ka gjurmë dokumentash që të çojnë tek lidhjet mes qeveritarëve të kohës dhe Nue Kalajt.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.