Film për Arben Bajon, “Violinisti” shfaqet premierë në Gjirokastër si homazh për skulptorin

26/04/2024 12:22

“Violinisti” një film dedikuar fëmijërisë, pafajësisë, Gjirokastrës e që njëkohësisht është një memorie për skultorin e ndjerë Arben Bajo u prezantua me premierën e tij në Gjirokastër.

Regjisori Saimir Bajo tregon se filmi është një autobiografi që është modifikuar artistikisht për të sjellë më shumë se thjesht një histori personale. Në qendër të filmir qëndron familja Bajo, vetë regjisori në hapat e parë si violinist, i vëllai Arbeni që gjithashtu vjen në rolin e tij si nxënës në shkollën e muzikës i apasionuar pas klarinetës, mësuesit, babai, nëna, gjyshja, miqtë, mbresat dhe emocionet e fëmijërisë. “Violinisti” vjen si një produkt autentik i kinemasë shqiptare dhe mbart gjithë karakterin shqiptar dhe ngrohtësinë mesdhetare.

Filmi zgjon nostalgji dhe emocione tha regjisori Saimir Bajo.

“Filmi “Violinisti” është një film memorje. Janë copëza nga jeta ime kur kam qenë fëmijë i vogël 5-6 vjeç dhe shkoja në shkollën e muzikës. Është i bazuar në historinë time personale dhe të familjes Bajo. Kur kam vendosur të bëj filmin ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua dhe për familjen sepse filmi është xhiruar vetëm një javë pasi u largua nga jeta vëllai im i ndjerë Arben Bajo, skulptori i njohur shqiptar dhe pedagog në Universitetin e Arteve pra ishte një dramë shumë e madhe.Është një film që ka një atmosferë fantastike. Do të thoshja që në të gjithë elementët që nga muzika, kamera, aktrimi apo mënyra e të treguarit është një film autentik shqiptar.”– u shpreh regjisori Saimir Bajo.

Pjesë e filmit “Violinisti” janë një kastë aktorësh të njohur si Herjon Mustafaraj në rolin e babait, në rolin e nënës Mirela Naska ndërsa disa aktorë nga Gjirokastra si Mimoza dhe Ilir Lluri ju bashkuan filmit gjatë xhirimeve në qytet për ti dhënë siç thotë regjisori ngjyra vërtetësie historisë që mund të ishte e çdo familjeje. Filmi ka marrë vlerësime nga regjisorë të njohur ndërkombëtarë dhe pritet të marrë pjesë në disa festivale.

Top Channel