Milani nuk gjen qetësi me kapitenët, një tjetër largim me parametra zero?

26/04/2024 07:15

Marrëdhëniet e Milanit me kapitenët duket se nuk janë aspak të mira, teksa pas Gigio Donnarummës dhe Alessio Romagnolit, edhe ai aktual Davide Calabria mund të largohet me parametra zero.

Mbrojtësi 27-vjeçar ka kontratë me kuqezinjtë deri në verën e 2025-ës, megjithatë deri tani asnjë prej drejtuesve nuk i ka ofruar rinovimin, ndonëse vetë Calabria nuk e ka fshehur dëshirën për t’u lidhur përjetësisht me Milanin, klub në të cilin ëshët rritur si futbollist.

Për mbrojtësin pritet që vendimi të merret në verë nga ana e trajnerit të ri të kuqezinjve, megjithatë nëse nuk rinovohet kontrata deri në nisje të sezonit të ri, atëherë Calabria pritet të mendojë për të ardhmen larg Milanit.

Calabria mori shiritin e kapitenit nga Alessio Romagnoli, i cili u largua në verën e 2022-shit nga kuqezinjtë, pasi nuk iu ofrua rinovimi dhe zgjodhi të vijojë karrierën te Lazio.

Para Romagnolit shiritin te Milani e mbante portieri italian Donnarumma, i cili refuzoi të rinovojë kontratën dhe në verën e 2021-shit u largua drejt Paris Saint Germain./ Supersport

Top Channel