Një zjarrfikës pa frikë mund të konsiderohet hero, pas situatës së zjarrit paraditen e kësaj të diele në Tiranë. Ai, teksa ishte me njësinë ndërvepruese të shuarjes së flakëve u informua, se një foshnje në një nga katet e larta të pallatit kishte probleme dhe se familjarët nuk kishin asnjë mundësi evakuimi. Në pak minuta, sikurse jeni duke e ndjekur edhe përmes këtyre pamjeve filmike, zjarrfikësi Franc Aga e mori foshnjen në krah dhe për shumë metra ka zbritur, duke bërë të mundur evakuimin pa asnjë problem. I shoqëruar nga kolegu tjetër i stacionit zjarrfikës të Kombinatit, Gentian Cullhaj, të dy bënë të mundur evakuimin e fëmijës, ndërsa shumë banorë mundën që të dalin vetë edhe pse tymi e ka bërë të pamundur lëvizjen nëpër shkallët e pallatit.