Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në Asamblenë Parlamentare të Aleancës këtë të hënë, duke e cilësuar si garancinë më të mirë të sigurisë për vendin e tij pas përfundimit të luftës. ‘Nëse tashmë tingëllon krejtësisht normale që një nga kushtet kryesore për një jetë paqësore pas kësaj lufte të jenë garancitë e forta të sigurisë për Ukrainën, atëherë pse të mos themi hapur atë që mendojmë? A nuk do të ishte më efektive që thjesht ta anëtarësonim Ukrainën në NATO? A nuk do të ishte kjo më e mira për të gjithë ne?’-theksoi gjatë fjalës së tij Zelensky. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte përballë kësaj thirrjeje ishte i rezervuar. ‘Jo të gjitha vendet anëtare të Aleancës janë dakord me anëtarësimin e Ukrainës. Për zgjedhjen e anëtarëve të NATO-s, vendos vetëm NATO. Për këtë çështje, brenda Aleancës mbizotëron qartësi e plotë- u shpreh Rutte.