Qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë kanë marrë mëngjesin e sotëm kërcënime për bomba përmes postës elektronike. “Deri më tani nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se shkollat e kontaktuara po përballen me ndonjë kërcënim konkret, por hetimi yne vazhdon”, deklaroi policia në qytetin gjerman të Freiburgut. Edhe autoritetet në Berlin dhanë të njëjtin vlerësim, ndërsa zyrtarët në landin e Turingisë u kerkuan shkollave të vijonin normalisht aktivitetin mësimor, me arsyetimin se autorët kanë pasur dukshëm për qëllim të ngjallnin frikë dhe panik, pa pasur ndërmend t`i vinin vërtet në jetë synimet e tyre. Në total, llogaritet që kërcënimet të kenë prekur rreth 450 shkolla në të gjithë Gjermaninë. Ndërkohë, policia daneze njoftoi se ka nisur edhe ajo hetime për kërcënimet me bomba të drejtuara ndaj disa shkollave në zona të ndryshme të Danimarkës. Ky është rasti i fundit në një valë alarmesh të ngjashme që kanë përfshirë vende të ndryshme të Europës. Javën e kaluar, disa shkolla në Spanjë u evakuuan pasi morën kërcënime për bomba përmes emailit. E njëjta gjë ndodhi edhe në Itali. Në mbarë kontinentin e vjetër, ka pasur një seri alarmesh të rreme dhe sulmesh kibernetike që kanë shënjestruar supermarkete, banka gjaku, sisteme të kontrollit të trafikut ajror dhe televizione, duke shkaktuar ndërprerje të aktivitetit të përditshëm.