Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se në nëntor do të zhvillohet një takim trepalësh mes Kievit, Uashingtonit dhe Moskës, me synimin për të rifilluar bisedimet e paqes që kanë ngecur prej kohësh. "Ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Nëse bëhet fjalë për çështje territoriale, kjo duhet trajtuar në nivel udhëheqësish. Çështjet e tjera bien në fushën e përgjegjësisë së grupeve teknike. Pra, të gjitha këto mund të diskutohen në nëntor," tha Zelensky në një intervistë për televizionin ukrainas. Në anën tjetër, Rusia tha të hënën se nuk do ta ngadalësojë ofensivën e saj kundër Ukrainës, pavarësisht bisedimeve të ardhshme për t'i dhënë fund konfliktit, të ndërmjetësuara nga SHBA, por shtoi se mund të bjerë dakord për armëpushime lokale "humanitare". Kremlini u shpreh i hapur për armëpushime afatshkurtra "humanitare" përgjatë vijës së frontit, duke përmendur mundësinë e një armëpushimi në qytetin e shkatërruar të Oleshky-t, i cili ndodhet nën pushtimin rus. Një armëpushim pritet të hyjë në fuqi të martën herët në këtë qytet të Ukrainës jugore, falë ndërmjetësimit të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, pas muajsh të tërë raportimesh se banorët po përballen me mungesa të rënda ushqimesh, uji dhe ilaçesh. I pyetur nëse Rusia do të shqyrtonte mundësinë e armëpushimeve të tjera lokale, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve: "Për qëllime humanitare, patjetër që po." Megjithatë, Moska theksoi se nuk do ta ulë intensitetin e luftës, edhe pse palët po përgatiten të rifillojnë bisedimet. "Vendimi për të rifilluar bisedimet trepalëshe nuk nënkupton asnjë kufizim të operacioneve luftarake," tha Peskov. "Forcat tona të armatosura vazhdojnë të kryejnë sulme masive ndaj kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës," shtoi ai. Javët e fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, duke goditur infrastrukturën energjetike pranë qyteteve të mëdha. Sipas Kievit, kjo është një përpjekje për ta zhytur vendin në të ftohtë dhe errësirë gjatë gjithë dimrit. Sulmet e vitit të kaluar lanë miliona njerëz pa ngrohje apo energji elektrike, në një kohë kur temperaturat ranë deri në -20 gradë Celsius.