Zyrtarë të administratës Trump po mbështesin nominimin e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Gazeta "Ëall Street Journal", raporton se Orbán mund të jetë një kandidat i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, dhe se burime nga të tria këto vende kanë konfirmuar se administrata Trump po e mbështet kandidaturën e tij. Orbán humbi pushtetin në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë në prill, kur partia "Tisza" e Péter Magyar-it e mundi atë, pas 16 vitesh qeverisjeje me shumicë absolute. Politikat e tij të ekstremit të djathtë, thellësisht kundër emigracionit dhe euroskeptike, së bashku me regresin në sundimin e ligjit në Hungari, i kanë tensionuar marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Megjithatë, Orbán ka ruajtur lidhje të ngushta me Donald Trump-in, Vladimir Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping. Sipas WSJ, nuk është marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me këtë plan. Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit pranoi se, në shikim të parë, ideja mund të duket e çmendur, por theksoi se bisedimet e mëparshme me Uashingtonin sugjerojnë se edhe Rusia e Kina e mbështesin atë. Qëllimi është që Orbán të jetë kandidati i përbashkët i të tre vendeve. "Nëse Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina duan të njëjtën gjë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zakonisht e arrijnë atë," thanë për gazetën zyrtarë nga SHBA dhe një vend tjetër. Sidoqoftë, fitorja e Orban nuk do të ishte e sigurt. Një kandidat duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën nëntë prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ndërsa secili nga pesë anëtarët e përhershëm ka të drejtën e vetos ndaj nominimit. Përveç SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, anëtarë të përhershëm janë gjithashtu Franca dhe Britania e Madhe. Mandati i dytë pesëvjeçar i Sekretarit të Përgjithshëm aktual, António Guterres, përfundon ndërkohë më 31 dhjetor.