Policia e Durrësit ka goditur një rast të magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike të kontrabanduara. Bëhet me dije se është arrestuar në flagrancë një 18-vjeçar dhe është proceduar penalisht një 24-vjeçar. Gjatë operacionit janë sekuestruar qindra fishekzjarrë dhe kapsolla të llojeve të ndryshme, si dhe dy telefona celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës zbuluan një dyqan në lagjen nr. 12 ku shiteshin lëndë piroteknike të kontrabanduara. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë 18 vjeçari, i cili dyshohet se i magazinonte fishekzjarrët dhe kapsollat në banesë dhe i tregtonte ato në dyqan dhe online.