Ambasada amerikane në Rusi ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të shmangin tubimet e mëdha në Moskë për shkak, siç tha ajo, të raporteve se ekstremistët kanë plane për një sulm të afërt. Ambasada, e cila në mënyrë të përsëritur u ka kërkuar të gjithë qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Rusia, nuk dha detaje të mëtejshme për natyrën e kërcënimit, por tha se shtetasit amerikanë duhet të shmangin turmat dhe të jenë të vetëdijshëm për atë që i rrethon. “Ambasada po monitoron raportet se ekstremistët kanë plane të afërta për të vënë në shënjestër tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncerte, dhe qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”, tha ambasada në një mesazh në faqen e saj të internetit.