SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg të ish-deputetit demokrat, Asllan Dogjani për mosdeklarimin e të ardhurave për blerjen e një apartamenti. Sipas kërkesës së Prokurorisë së Posacme, dënimi për Dogjanin mund të konvertohet në 3 vite shërbim prove. SPAK thotë se ka vërtetuar përmes hetimeve se në vitin 2010 Dogjani bleu një apartament 126 mijë euro, vlerë të cilën e pagoi cash, ndërsa e deklaroi sikur ta kishte marrë në këmbim të konsulencave juridike si avokat. Në mbështetje të këtij deklarimi, Dogjani paraqiti kontratën tek e cila u mbështet sërish edhe në deklarimin e 16 qershorit të 2023-it, pas zgjedhjes si deputet në parlament. Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi treguan se Asllan Dogjani është bërë pronar i apartamentit, bazuar në kontratën me nr.7030 në të cilën parashikohej se vlera do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën ish deputeti ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.