Policia e Kukësit ka kapur dhe ndaluar dy persona të shpallur në kërkim, xhaxha e nip përkatësisht 45 dhe 24 vjeç, të dyshuar për tentativë rrëmbimi dhe dhunë pas një sherri të ndodhur më 20 nëntor të këtij viti. Sipas hetimeve, pasi u konfliktuan për motive të dobëta me një 42-vjeçar, disa orë më vonë i prenë rrugën në aksin “Kukës–Krumë” mjetit ku ai udhëtonte me një efektiv policie, e goditën me sende të forta, i dëmtuan makinën dhe tentuan ta merrnin me forcë. Ndërhyrja e policit ndaloi përshkallëzimin e ngjarjes, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë për tentativë të heqjes së paligjshme të lirisë, mosbindje ndaj policisë, dëmtime me dashje dhe shkatërrim prone.