Më shumë se 5 mijë dokumente që janë pjesë përbërëse e dosjeve personale të 340 prokurorëve në të gjithë vendin janë përfshirë tashmë një një sistemim elektronik. E gjithë kjo është bërë e mundur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me monitorimin e misionit ndërkombëtar Euralius, i cili i ofron mbështetjen për institucionet shqiptare me qëllim konsolidimin e sistemit të drejtësisë. Ky sistem lindi si nevojë për aksesim sa më të shpejtë të këtyre të dhënave, të cilat menaxhohen nga sektori i burimeve njerëzore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe përmban mekanizmat e kërkimit në bazën e të dhënave, statistikave dhe raportimeve si dhe formate standarde të dokumenteve. Sistemi shërben si një platformë e unifikuar të dhënash, të cilat shërbejnë për vlerësimin e prokurorëve, transferimin, promovimin dhe procedurat disiplinore, me synim përmirësimin e procesit të punës së Këshillit.