Ndryshimi i orës ka rikthyer këtë të diel orën dimërore, duke bërë që akrepat të zhvendosen 60 minuta pas. Ky ndryshim u jep qytetarëve një orë më shumë gjumë, por njëkohësisht ndikon në ritmin e përditshëm dhe përshtatjen e organizmit. Sipas kalendarit të ndryshimit të orës, kalimi në orën verore do të bëhet më 29 mars 2026, ndërsa ora dimërore rikthehet çdo vit të dielën e fundit të tetorit. Ndryshimi i orës zbatohet në dhjetëra vende të botës, por jo të gjitha shtetet e ndjekin këtë praktikë. Vende si Islanda, Turqia, Rusia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia nuk i ndryshojnë akrepat dy herë në vit. E njëjta orë gjatë gjithë vitit përdoret edhe në shtete të mëdha aziatike, si Kina, India dhe Japonia.