2027 do të jetë viti i Shqipërisë, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama duke iu referuar qëndrimeve të komisioneres për Zgjerimin Marta Kos gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. Kreu i qeverisë u zotua se do të përmbushen të gjitha reformat me qëllim integrimin e vendit në familjen e madhe europiane. 2027 do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin, për ne po ashtu, ne jemi Shqipëria, kështu që nuk diskutohet se s’ka si të jetë viti i dikujt tjetër, por pak po e sigurt është që ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke i plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi, jo sepse na i kërkon “zysha” që kam në krah, por sepse i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë. E nesërmja e fëmijëve tanë, e nesërmja e vendit tonë na imponon që t’i bëjmë pikë për pikë këto detyra sepse çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësimit në BE është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë.