Shqipëria pritet të marrë 185,6 milionë euro nga Bashkimi Europian në këstin e katërt të Planit të Rritjes. Shifrën e bëri të ditur në Tiranë komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila tha se Shqipëria ka zbatuar 80 për qind të reformave të parashikuara në plan. Pagesa të reja u njoftuan edhe për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. “Plani i Rritjes është hartuar për të ndihmuar ekonomikisht vendet e rajonit. Tre shtete kanë bërë përparim të mirë në reforma. Mali i Zi ka vënë në zbatim 94% të tyre, që është mbresëlënëse. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185,6 milionë euro në pagesën e katërt. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të përfitojë 70,9 milionë euro.” Për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën nuk u njoftuan këste të reja. Kos tha se Serbia nuk ka marrë pagesa që prej janarit, ndërsa Bosnjë-Hercegovina duhet ende të ratifikojë marrëveshjet për financimin. Për Kosovën, komisionerja paralajmëroi një vizitë në fillim të dhjetorit për të diskutuar me qeverinë e re ecurinë e reformave. “Qeveria e re në Kosovë ka mundësinë të arrijë reformat që dëshiron Bashkimi Europian. Do të jem në Prishtinë dhe mezi pres këtë vizitë. Edhe Bosnjë-Hercegovina duhet të zbatojë reforma të rëndësishme.”