Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe stuhia e fortë e erës mesditën e kësaj të enjteje ne Kukës, ka sjellë probleme në qytetin verior. Si pasojë e reshjeve të dendura, shumë rrugë në zonat rurale, por edhe në lagje të ndryshme të qytetit të Kukësit, kanë prezencë uji, duke vështirësuar qarkullimin. Probleme janë raportuar edhe në akset malore, ku rrezikon rënien e gurëve dhe rrëshqitjen e dherave. Autoritetet iu kanë kërkuar drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në akset e Qafë Shllakut, Bushtricës, Shishtavecit, Valbonës dhe Qafë Morinës, ku reshjet kanë sjellë prezencë uji dhe rënie gurësh në rrugë. vetëm një javë më parë, era e fortë dhe rritja e prurjeve të lumenjve shkaktuan dëme në disa ura si ajo e Mërturit, si dhe një shkollë në Njësinë Administrative Zapod. Probleme për shkak të motit të keq janë hasur edhe në Tropojë. Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë sjellë probleme në qarkullimin e akseve rrugore.