Autoritetet polake kanë arrestuar një person të dyshuar se kishte kërcënuar dhe planifikuar një sulm ndaj kryeministrit Donald Tusk, pas disa orësh alarmi dhe shqetësimi në institucionet e sigurisë së vendit. Sipas raportimeve, autoritetet kishin marrë informacione për një komplot të mundshëm që mund të vinte në rrezik jo vetëm kryeministrin Tusk, por edhe ministrin e Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz. “Personi që kërcënoi dhe planifikoi një sulm ndaj kryeministrit Donald Tusk është ndaluar nga policia”, deklaroi ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński. Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi identitetin e të arrestuarit apo mbi natyrën e sulmit që dyshohet se po përgatitej.